Kronikë

Prokurores Vahide Badivuku i vërtetohet dënimi për korrupsion me burgim prej 3 vjetësh

Gjykata e Apelit e Kosovës ka refuzuar si të pabazuara ankesat e Prokurorisë Speciale të Kosovë dhe avokatit mbrojtës në çështjen e të akuzuarës Vahide Badivuku, duke vërtetuar kështu aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, te datës 05.04.2016.

Sipas këtij aktgjykimi, e akuzuara Vahide Badivuku është shpallur fajtore për veprën penale “Marrja e ryshfetit” (vepër të cilën e kishte kryer në cilësi të prokurores së shtetit), nga neni 428 par.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës dhe është dënuar me 3 vjet burgim.

“Asaj po ashtu i është shqiptuar dënimi me gjobë prej 5.000(pesëmijë)Euro, si dhe i është ndaluar ushtrim i funksionit në Administratën Publike, ose në Shërbimin Publik, për tri vjet”, thuhet në komunikatën e Gjykatës së Apelit të Kosovës.

Kolegji gjyqësor i Gjykatës së Apelit, i ka ricilësuar veprimet e dy të akuzuarve tjerë të këtij rasti I.K. dhe I.S. nga “Ushtrim ndikimi” në “Dhënie ryshfeti”. I pari është dënuar me një vjet burgim, ndërsa të dytit i është vërtetuar dënimi me gjobë prej 3 mijë eurosh.