Kronikë

Brenda 24 orëve, 10 të arrestuar për trafikim të substancave narkotike

Policia e Kosovës, ka njoftuar se në 24 orët e fundit ka arrestuar 10 persona për shkak të posedimit dhe trafikimit të substancave narkotike.

Në një konferencë të mbajtur të dielën, drejtori i Drejtorisë së Antidrogës, Bahri Shala, ka treguar se të arrestuarit janë kapur në tri operacione të ndryshme.

Në operacionin e parë, janë arrestuar katër persona, tre shtetas të Kosovës dhe një i Shqipërisë. Operacioni është kryer në rrugën Gjakovë – Klinë. Sipas Shalës, Policia ka konfiskuar 57 kg. marihuanë, tri automjete, katër telefona, para, një revole dhe dëshmi të tjera.

“Pas një hetimi disamujor, është identifikuar një grup kriminal, i cili ka qenë i përfshirë në trafikim të substancave narkotike nga Ballkani në Bashkim Evropian”, ka thënë Shala.

Në operacionin e dytë janë arrestuar katër shqiptarë dhe një serb, e që sipas Policisë dyshohet se aktivitetin kriminal e kanë zhvilluar në nivel vendi.

“Operacioni është zhvilluar në Fushë-Kosovë dhe është arritur të konfiskohen, amfetaminë 500 gr. marihuanë 200 gr. si dhe telefona e para”, ka thënë Shala.

Aksioni 24-orësh i Policisë ka përfunduar në Gjakovë, ku është arrestuar një person me 500 gr. marihuanë e 6.7 gr. kokainë. Atij, sipas Shalës, i janë konfiskuar edhe një telefon dhe një peshore.