Kronikë

Policia jep detaje për arrestimin e shqiptarit më të kërkuar nga Austria

Njeri nga dy personat më të kërkuar në botë nga autoritetet austriake është arrestuar dje në Kosovë.

Që nga 30 prilli i vitit 2009, 32 vjeçari kosovar Himë Lufaj nga rajoni i Deçanit ka qenë në kërkim në mbarë botën nga autoritetet austriake.

Lufaj ka qenë në kërkim për vjedhje me thyerje dhe vrasje në tentativë. Ai ka qenë njëri ndër dy personat më të kërkuar në botë prej Autoriteteve te Drejtësisë Austriake ndërsa që nga 2016 ishte edhe në uebfaqen e personave më të kërkuar të EUROPOL-it të quajtur ENFAST.

Policia e Kosovës ka njoftuar se arrestimi i tij në Kosovë erdhi pas bashkëpunimit të ekipit për persona të arratisur “FAST Kosova” me partnerët ndërkombëtarë.

“Gjatë bashkëpunimit të Policisë së Kosovës me autoritetet austriake është ardhur në përfundim që Lufaj ishte me banim në fshatin e tij të lindjes në perëndim te Kosovës (Deçan). Me përkrahjen e autoriteteve austriake në vitin 2016 është themeluar në Policinë e Kosovës, respektivisht te Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar ne Fushën e Zbatimit te Ligjit (ILECU), Ekipi për Persona të Arratisur (FAST KOSOVA) dhe ky ekip ishte integruar ne ENFAST (Europian Network for Fugitive Active Search Teams). Pas dorëzimit dje te rastit dje më 23 maj 2017 nga autoritetet austriake te Ministria e Drejtësisë dhe mandej Prokuroria dhe Gjykata Kompetente, ekipi për persona te arratisur (FAST Kosova) së bashku me njësitë e vëzhgimit dhe NJSI (Njësia Speciale Intervenuese) të Policisë së Kosovës kanë reaguar dhe në orët e pasdites të së njëjtës ditë e kanë arrestuar Himë Lufajn në fshatin e tij të lindjes në Deçan”, ka thënë zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha për Koha.net.

Ai ka thënë se arrestimi i Lufajt ka dëshmuar edhe njëherë se Policia e Kosovës është e gatshme për inkuadrim në organizatat më të mëdha botërore të sigurisë.

“Tashmë MPB ka nënshkruar marrëveshje me organizatat dhe rrjetet ndërkombëtare rajonale si FRONTEX, SEEFEG dhe OLAF dhe ngadalë po bëhemi pjese e familjes Evropiane që ofrojnë siguri por ne kemi nevojë që të jemi pjesë edhe e INTERPOL-it dhe EUROPOL-it. Intervenimi dhe arrestimi i djeshëm tregon se Policia e Kosovës në veçanti dhe Autoritetet Kosovare të Drejtësisë në përgjithësi janë eksportuese të sigurisë në rajon e me gjerë dhe kjo tregon edhe sukseset e mundshme që mund të arrihen kur Republika e Kosovës dhe Policia e saj bëhen pjesë e familjes evropiane dhe botërore”, ka shtuar ai.

FAST Kosova që nga themelimi i saj në qershor të vitit 2016 e deri më sot ka kryer rreth 20 arrestime të profilit të lartë të karakterit ndërkombëtar (shtetas të huaj apo kosovarë) dhe ka listën me 10 persona me prioritet e që këto prioritete të ndryshojnë varësisht nga arrestimet e mundshme.

“Falë bashkëpunimit që ky ekip ka me partnerët e vet në Evropë dhe më gjerë shumë persona të tjerë tashmë të arrestuar në shtetet e Evropës presin ekstradimet nga shtetet e jashtme për në Kosovë”, ka deklaruar më tej Hoxha.

Image