Kronikë

Detaje për vrasjen e 19 vjeçarit në Malishevë

Një 19-vjeçar ka vdekur mbrëmë në fshatin Dragobil të Komunës së Malishevës. Ai është therur me thikë në një zënkë që ka ndodhur në mes të dy grupeve të të rinjve.

Viktima kishte dy vjet që jetonte bashkë me të vëllain në Itali, të cilët kishin ardhur për pushime në Kosovë, raporton KTV.

Familjarët thonë se janë të shokuar me ngjarjen dhe se nuk e dinë se cila mund të jetë arsyeja që ka ardhur deri te vrasja.

Nëntë persona, prej tyre dy të mitur, ishin të përfshirë në këtë rrahje, e cila ka ndodhur rreth mesnatës ndërmjet së premtes dhe së shtunës.

Sipas Policisë, rasti është iniciuar si “vrasje” dhe “pjesëmarrje në rrahje”.

Prokurori i rastit, Ramiz Buzhala, ka konfirmuar se e ka dërguar kërkesën për paraburgim për personat e moshës madhore dhe seanca është mbajtur këtë të shtunë.

Buzhala ka thënë se edhe vëllai i viktimës ngarkohet me veprën penale pjesëmarrje në rrahje, por këtë të shtunë është liruar me procedurë të rregullt për të marrë pjesë në varrimin e vëllait të tij.