Kronikë

10 vjet burgim kosovarit që gjuajti me armë tre kosovarë tjerë në qendër të Helsinkit

Vendi i ngjarjes, më 23 korrik, 2019. Foto: Lehtikuva

Gjykata e rrethit të Helsinkit ka dënuar një kosovar 32 vjeçar me 10 vjet burgim për shkak të një incidenti të armatosur që ka ndodhur në qendër të Helsinkit në muajin korrik. Kosovari u shpall fajtor ndaj tri akuzave për tentim vrasje dhe për vepra tjera.

I pandehuri u konstatua se ka shtënë me armë zjarri ndaj tre vëllezërve në pikë të ditës në udhëkryqin mes Hietalahdenkatut dhe Porkkalankatut në rrethin Kamppi të Helsinkit. Dy prej tyre pësuan lëndime serioze, raporton Yle.fi.

I dyshuari ishte ndaluar nga policia menjëherë pas incidentit dhe kjo masë i ka vazhduar nga korriku.

Sipas gjykatës, motivi për veprat mbetet i paqartë, ndonëse i pandehuri ka përmendur një mosmarrëveshje mes familjes së tij dhe familjes së viktimave, që të gjithë me prejardhje nga Kosova, transmeton Koha.net.

Dy nga vëllezërit që u qëlluan janë dënuar për sulm ndaj personit që shtiu ndaj tyre. Gjykata tha se njëri nga ta e kishte goditur 32 vjeçarin në kokë disa orë para të shtënave.

Edhe një person tjetër me të njëjtin mbiemër sikurse vëllezërit e sulmuar është dënuar për sulm ndaj personit të armatosur në fund të vitit 2018.

Një hetim preliminar i kryer nga policia e prokuroria, ka thënë se incidenti i armatosur ka qenë rezultat i një ofendimi që ka ndodhur mes dy familjeve.

Në fillim të gjykimit në nëntor, prokuroria ka thënë se palët – i armatosuri dhe tre vëllezërit – vijnë nga i njëjti qytet i Kosovës dhe se ka pasur tensione mes dy grupeve.

I pandehuri ishte sulmuar tri herë para incidentit të armatosur. Prokurori tha se sulmi më i fundit ndaj tij kishte ndodhur në një hapësirë ndërtimi pak orë para të shtënave dhe në këtë incident ka qenë i përfshirë njëri nga vëllezërit.

Pas këtij incidenti, i dyshuari kishte shkuar në shtëpinë e tij në Vantaa për të marrë një pistoletë dhe për t’u kthyer në Helsinki. Prokurori tha se qëllimi i tij ishte që të ndeshej me sulmuesin dhe dy vëllezërit e tij.

Ata u ndeshën në Helsinki gjatë orëve më të ngarkuara të ditës në Helsinki. Me t’i parë ata në makinë, i armatosuri i ka goditur ata me furgonin e tij. Ai ka shtënë me armë derisa ata kanë ikur, me ç’rast ka plagosur njërin.

Ai më pas ka shkuar në veturën e tij, ku ka qëlluar me armë zjarri dhe me thikë personin që kishte mbetur i vetmuar në ulëset e prapme të makinës. Prokurori i ka përshkruar lëndimet e tij si shumë serioze.

Mbrojtja ka thënë se 32 vjeçari nuk e ka pasur qëllimin për të vrarë apo lënduar dikë, por vetëm ka dashur t’i frikësojë ata.

I dënuari i ka mohuar akuzat për tentim-vrasje, por ka pranuar fajësinë për dy akuzat tjera për “sulm të rëndë me forcë të tepruar” dhe një akuzë tjetër për “rrezikim”.

I dënuari ka jetuar në rajonin e Helsinkit, e së fundmi në Vantaa. Thuhet se ka qenë CEO i një kompanie ndërtimore e themeluar më 2014.