Shpallet fajtor zyrtari për Komunitete dhe Kthim për keqpërdorim të detyrës zyrtare Foto: Koha / ilustrim

Shpallet fajtor zyrtari për Komunitete dhe Kthim për keqpërdorim të detyrës zyrtare

02 December 2019 15:46

Gjykata Themelore në Pejë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallë aktgjykim dënues ndaj të pandehurit H.K, për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.

“Të pandehurin H.K, gjykata e shpalli fajtor për shkak se në periudhën kohore nga fillimi muajit qershor 2016, në mënyrë të vazhdueshme gjer me datë 18.10.2016, në Pejë, duke qenë në pozitën e Zyrtarit për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Pejës, tejkalon autorizimet e tij ligjore me qëllim të përftimit të dobisë pasurore për vete dhe personat tjerë, në atë mënyrë që përmes programit ‘Free Key Logger’ program ky i cili shërben për vjedhje të fjalëkalimeve”, thuhet në njoftim.

“Ai merr fjalëkalimin e shfrytëzuesit të kompjuterit të G.T - Zyrtar për Komunitete dhe Kthim në Komunën e Pejës, e duke shfrytëzuar këtë kompjuter por edhe kompjuterin e tij personal përmes programit ‘Pro tax’, hynë në sistemin kompjuterik të M.L - Zyrtare për Tatim në Pronë në Komunën e Pejës, ashtu që gjatë periudhës së lartcekur ka arritur t’i shlyej obligimet tatimore të J.K, E.A, A.K, N.B, V. M dhe R.K, duke i sjellë vetes përfitim pasuror të kundërligjshëm, ndërsa në fillim të muajit qershor 2016, nga dëshmitari B.G, merr shumën e të hollave prej 170 €, për të shlyer obligimin tatimor të tij për gjashtë mujorin e parë të vitit 2016, por të njëjtit tatimin në fjalë nuk ja shlyen, ndërsa të hollat i kishte përvetësuar për vete në mënyrë të kundërligjshme”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas Prokurorisë, me këto veprime i pandehuri H.K ka kryer veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar nga neni 442 par.1 të KPRK-së.

Ndaj të pandehurit H.K gjykata shqiptoj dënim me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj e në të cilin dënim me burg i llogaritet edhe koha e kaluar në arrest shtëpiak.

Gjykata të pandehurin e njoftoj me mundësinë që dënimi i shqiptuar me burgim në kohëzgjatje prej gjashtë muaj, me pëlqimin e tij mundë të zëvendësohet me dënim me gjobë në shumë prej 5 mijë euro.

I pandehuri është obliguar që në emër të shpenzimeve të procedurës penale, gjykatës të ia paguaj shumën prej 100 euro, në emër të shpenzimeve të paushallit gjyqësor shumën prej 50 euro si dhe në emër të kompensimit për viktimat e krimit shumën prej 50 euro.

Për realizimin e kërkesës pasurore juridike, të dëmtuarit udhëzohen në kontest të rregullt juridiko civil.

Kundër këtij Aktgjykimi pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme