Kronikë

Një 29-vjeçar vdes në një aksident në Seqishtë të Hanit të Elezit

Foto: Koha / ilustrim

Në një aksident trafiku që ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:40 minuta, në fshatin Seqishtë të Hanit të Elezit, ka vdekur një person.

“Sipas raporteve të para, rasti ka ndodhur kur ngasësi i automjetit transportues me targa vendore S.K. ( m/sh/k 29 vjeçar), duke mos e përshtatur shpejtësinë e lëvizjes kushteve të rrugës humb kontrollin mbi timonin duke dalë nga rruga ku me këtë rast pëson lëndime të rënda”, thuhet në raportin e PK-së.

Në raport theksohet se në vendin e ngjarjes mjeku ka konstatuar se viktima kishte ndërruar jetë dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit trupi i viktimës dërgohet për obduksion në IML Prishtinë.

“Me rast janë duke u marr hetuesit e Njësitit të trafikut rrugor në bashkëpunim me Prokurorin e Shtetit”, përfundon njoftimi.