Kronikë

Përhapi panik me lajme të rreme, arrestohet 25-vjeçarja në Durrës

​Drejtoria e Antiterrorit e Policisë së Shtetit në Shqipëri ka arrestuar në flagrancë 25-vjeçaren Xhuljana Aliaj, lindur dhe banuese në Durrës, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik”.

Sipas policisë, gjatë monitorimit të rrjeteve sociale është konstatuar se Xhuljana Aliaj, ka postuar nga profili i saj në rrjetin social “Facebook” shkrime me përmbajtje të rreme dhe jo të vërteta, duke kryer kështu përhapje të panikut nëpërmjet efekteve të këtyre lajmeve.

Drejtoria e Antiterrorit në bashkëpunim me strukturat e tjera të specializuara në Policinë e Shtetit kanë evidentuar edhe raste të tjera për të cilat në bashkëpunim me Prokuroritë e rretheve përkatëse po vijon me procedimet penale dhe për çdo rast do informohet media e publiku.

Policia e Shtetit ka apeluar edhe njëherë për të gjithë qytetarët që të mos bien pre e mashtrimeve të lajmeve që shpërndahen në rrjete sociale, të cilat krijojnë panik dhe fton cilindo që has në të tilla njoftime paniku të njoftojë menjëherë Policinë e Shtetit në numrin 112, apo në Komisariatin Dixhital.