Lirohet një nga të akuzuarit për vrasje të dyfishtë në Malishevë - Familja: E vendosim drejtësinë vetë

Donika Voca Gashi 14 November 2019 19:17

U soll si i akuzuar për vrasje në gjykatore, por vetëm pak minuta më vonë, Besim Maloku është shpallur i pafajshëm për vrasjen e dy vëllezërve Shani e Bahri Maloku në mars të vitit 2018.

Pas gati dy vjetësh në paraburgim, të enjten Gjykata Themelore në Gjakovë ka vendosur ta lirojë si të pafajshëm Besim Malokun për vrasjen e vëllezërve Maloku.

Kjo gjykatë Malokun e ka dënuar vetëm për armëmbajtje pa leje me 20 muaj burgim.

E, për armëmbajtje pa leje, me 9 muaj është dënuar edhe i akuzuari tjetër Blerim Maloku, i cili sipas aktakuzës, ditën kritike kishte hyrë për të vjedhur në oborrin e familjes Maloku, ku mbetën të vrarë dy vëllezërit.

Gjykata po këtë të enjte ka vendosur ta lirojë nga paraburgimi Besim Malokun.

Ky vendim i gjykatës ka frustruar familjen e viktimave, e cila kërcënoi se këtë vrasje nuk do ta lërë me kaq.

Të dëshpëruar me këtë vendim të gjykatës, motra e viktimave, Besnike Maloku, ka thënë se tashmë ata si familje, do ta vendosin vetë drejtësinë.

Ndërsa, avokatja Fehmie Gashi Bytyçi ka thënë të jetë e shokuar me këtë vendim të gjykatës.

Po i njëjti trup gjykues, dy muaj më parë kur pritej të shpallte aktgjykimin për këtë vrasje të rëndë , ishte tërhequr dhe kishte vendosur që ta rihapte shqyrtimin me arsyetimin se nevojiten të sqarohen disa prova të ekspertizës të balistikës.

Sipas aktakuzës, Besim Maloku akuzohej për dy vepra, atë të vrasjes së rëndë dhe për mbajtje të armës pa leje, ndërsa Blerim Maloku akuzohej vetëm për armëmbajtje pa leje.

Më 9 mars të 2018-s në fshatin Plloçicë të Malishevës Besim Maloku së bashku me vëllain e tij, Blerimin, kanë hyrë në shtëpinë e kushërinjve të tyre për të vjedhur. Sipas aktakuzës, viktimat pasi i kanë parë të akuzuarit, kanë vrapuar për t’i zënë dhe duke ikur, i akuzuari Besim Maloku ka gjuajtur në drejtim të kushërinjve të tij, duke i lënë kështu të vdekur të dy vëllezërit Shani dhe Bahri Malokun.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme