Kronikë

Shoferi i autobusit urban në Tiranë kapet në gjendje të dehur, rrezikoi jetën e mbi 80 udhëtarëve

Descriptive Text

Një shofer autobusi urban në Tiranë është kapur në gjendje të dehur nga Policia Rrugore e kryeqytetit shqiptar.

Të njëjtin, ndonëse ishte në orar pune për të transportuar qindra qytetarë të Tiranës, nuk e ka penguar ky fakt që të dehej.

Me më shumë se 80 pasagjerë brenda në autobus, shoferi u kap nga policia pasi po shkelte në mënyrë flagrante rregullat e qarkullimit.

Ai kaloi në semafor të kuq në një nga kryqëzimet kryesore të kryeqytetit shqiptar, duke rrezikuar të shkaktonte një tragjedi të vërtetë rrugore.

“Policia Rrugore e Tiranës, nisur nga prioritetet e kontrollove policore për parandalimin e aksidenteve rrugore, ka ushtruar kontroll me përzgjedhje ndaj mjeteve të transportit publik qytetas dhe ndërqytetës në orare dhe vende të ndryshme, ku janë konstatuar shkelje aq sa flagrante dhe të rrezikshme, siç ishte rasti i një autobusi që kishte më shumë se 80 pasagjerë, vazhdoi lëvizjen ndonëse sinjalizimi i semaforit e ndalonte atë, në një nga kryqëzimet kryesore të kryeqytetit si dhe rezultoi në gjendje të dehur në masën 0.69 mg/l, rrezik potencial që për nga kapaciteti mbartës i autobusit, mund të shkaktonte tragjedi në rrugë, nëse përfshihej në ngjarje rrugore”, thuhet në njoftimin e Policisë Rrugore të Tiranës, raporton Koha.net.

Gjithashtu, policia thotë se në fokusin e kontrolleve të rrugorëve të Tiranës, ditët e fundit ka qenë edhe përparësia ndaj këmbësorëve, përdorimi i kaskës mbrojtëse nga përdoruesit e mjeteve me dy rrota, parandalimi i përdorimit të celularit gjatë drejtimit të mjetit, parandalimi i shpejtësisë, etj.

Përgjatë 48 orëve të fundit, rrugorët e kryeqytetit kanë konstatuar dhe kapur në kushtet e flagrancës 23 shtetas, nga të cilët 7 në gjendje të dehur, 15 të pa pajisur me leje drejtimi dhe 1 për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Po ashtu, janë pezulluar 47 leje drejtimi, nga të cilat 16 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit, 22 për shpejtësi mbi normat e lejuara që varionte nga 155km/h deri në 175 km/h, 2 për mos bindje ndaj shenjës së ndalimit, 5 për largim nga vendi i aksidentit dhe 2 për shkelje të tjera.

Gjithashtu, policia ka proceduar me masë administrative 287 drejtues mjetesh për mos përdorim të rripit të sigurisë dhe sistemeve të fiksimit, 123 drejtues motomjetesh për mos përdorim të kaskës mbrojtëse, 122 drejtues mjetesh për përdorim të aparatit celular gjatë drejtimit të mjeteve, 42 drejtues mjetesh për mosdhënie përparësie ndaj këmbësorëve, 57 drejtues mjetesh të pasiguruar dhe certifikuar teknikisht, 562 mjete dhe drejtues mjetesh, për ndalim pushimi dhe qëndrimi, janë verifikuar 46 ankesa të adresuara nga qytetarët nëpërmjet Komisariatit Dixhital dhe forma të tjera, në funksion të të cilave janë vendosur 67 masa administrative, kryesisht për parkime të gabuara si dhe janë vendosur 789 masa administrative për shkelje të tjera të rregullave të qarkullimit rrugor.