Kronikë

Aksion blic i policisë në Lazarat, arrestohen 4 të superkërkuar

Policia e Gjirokastrës ka zhvilluar një aksion blic në fshatin Lazarat në orët e para të mëngjesit të sotëm, për personat e shpallur në kërkim për drogë, bën të ditur Shqip.

Si rrjedhojë u vunë në prangat e policisë 4 persona, të cilët ishin shpallur në kërkim, kryesisht për veprat penale të kultivimit të lëndëve narkotike.

Mësohet se janë arrestuar Tahir Brahimi, i dënuar me 6 muaj burgim nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale të parashikuar nga neni 236 i Kodit Penal.

Po kështu në prangat e Policisë kanë rënë Ago Rabaj, Çoman Rabaj dhe Blerim Rabaj, për të cilët Prokuroria Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër ka lëshuar urdhër ndalimi për veprën penale të parashikuar nga neni 284 i Kodit Penal, “Kultivim i bimëve narkotike”.

Theksojmë se i arrestuari Tahir Brahimi, është miku i Bako Buzherit, një person me rrezikshmëri të lartë kriminale, i njohur ndryshe si ‘i forti’ i Lazaratit.