Kronikë

Raport i KTV-së për vrasjen e dyfishtë në Gjilan

Vetëm rruga i ndante dy këmbimore, njëra e Nijazi Bunjakut, e tjetra e nipit të tij, Nehat Bunjaku.

Rreth orës 10 e 30 të mëngjesit, disa të shtëna janë dëgjuar në lokalin e Nehatit, raporton KTV.

Këto të shtëna, që dyshohet të jenë shkrepur nga Nijaziu, kanë lënë të vdekur në vend Nehatin, rreth të 30-ave.

Pas këtij akti, Nijazi Bunjaku, 53-vjeçar, ka qëlluar edhe veten, duke shkrepur armën e zjarrit në drejtim të kokës së tij.

Në gjendje të rëndë ishte dërguar në Klinikën e Emergjencës, në Spital të Gjilanit.

Ai ka vdekur rrugës për në QKUK.

Trupi i pajetë i Nehatit, është marrë nga ekspertët e mjekësisë ligjore për obduksion.

Megjithëse jozyrtarisht është marrë vesh se të ndjerët edhe më herët kishin pasur mos-marrëveshje, motivet e këtij krimi të rëndë ende nuk dihen.

Në cilësi të provave nga policia janë marrë xhirimet e kamerave të sigurisë.

Përndryshe, ky rast nga i cili mbetën dy të vdekur, është i pari rast me vrasje në më shumë se dy vite që ka ndodhur në këtë komunë.