Kronikë

Krim i rëndë në familje në Shqipëri, autori vret vëllanë dhe nipin, më pas qëllon veten - për një gardh

Foto: Ilustrim

Detaje tronditëse janë zbardhur nga krimi i rëndë në familje, në fshatin Xibër të Klosit.

Për ngjarjen tragjike ka reaguar edhe policia, e cila sqaron se shtetasi S. D. ka vrarë me armë zjarri pistoletë vëllanë e tij K. D. dhe djalin e këtij të fundit, shtetasin F. D., dhe më pas ka vrarë veten, raporton BW.

“Me datë 01.10.2019, rreth orës 14.24, në fshatin Xibër, Bashkia Klos, në rrethana ende të paqarta shtetasi S.D, ka vrarë me armë zjarri pistoletë vëllanë shtetasin K.D dhe djalin e këtij të fundit shtetasin F.D dhe më pas shtetasi S.D ka vrarë veten. Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Ndërkaq, BalkanWeb raporton se gjithçka ka nisur për tre drurët e një gardhi, pasi S. D. ka kërkuar që drurët të vendosen në pjesën e gardhit të tij. Pasi është kundërshtuar nga i vëllai, ka plasur sherri mes tyre, duke çuar në përdorimin e armëve.

Dy vëllezërit ishin prej vitesh në konflikt për këtë gardh dhe sot S.D. ka marrë armën dhe ka qëlluar me breshëri të vëllanë.

Më pas, kur djali ka parë babanë të shtrirë në tokë dhe të mbuluar në gjak ka ndërhyrë për ta ndihmuar, por edhe ai është vrarë me breshëri plumbash nga xhaxhai.