Kronikë

Gjykimi i “Syrit të Popullit” shtyhet për tetor, i akuzuari Llumnica nuk do avokat shqiptar

Ditën kur pritej që ta jepte për të herë të dytë mbrojtjen e tij i akuzuari Sadri Ramabaja, në rastin e njohur si “Syri i Popullit”, trupi gjykues është përballur me një kërkesë të pazakontë të njërit nga të akuzuarit në këtë rast.

Avni Lluminca, i akuzuar në këtë rast, ka kërkuar nga trupi gjykues që mos ta përfaqësojë më avokati Naim Rudari dhe as ndonjë avokat tjetër shqiptar, raporton KTV.

Llumnica ka thënë se ky është vetëm njëri nga hapat e tij, si shenjë proteste për mënyrën se si po ecën gjykimi.

E, kërkesë për t’u tërhequr nga mbrojtja ka bërë edhe avokati Naim Rudari, i cili ka thënë se e ka të pamundur ta përfaqësojë sa më mirë Llumicën në këtë proces.

Por, kërkesa e Llumincës ka nxitur reagimin e prokurorit Sylë Hoxha, i cili e ka quajtur si të qëllimshme dhe ofenduese kërkesën e të akuzuarit Llumnica.

Këtu, avokatët i dolën në mbrojtje kolegut të tyre, derisa këtë kërkesë të Llumincës e quajtën raciste. Ndërkaq, kërkuan që klientët e tyre të lirohen nga paraburgimi.

Kurse, trupi gjykues ka miratuar kërkesën e Llumnicës që t’i caktohet një avokat tjetër, por jo edhe që ai të mos jetë shqiptar.

Në këtë seancë nuk arriti të sillej nga policia i akuzuari Halim Halimi, sepse ai u aksidentua derisa po sillej me automjet të Policisë së Kosovës.

Në këtë rast janë të përfshirë 10 persona. Ata akuzohen, ndër të tjerash, për përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.