Kronikë

Treni i linjës Athinë-Selanik godet shtëpinë e emigrantëve shqiptarë, shpëtojnë mrekullisht

Ende i trembur dhe i shokuar, një prej dy shtetasve shqiptarë që kanë shpëtuar për mrekulli nga aksidenti tragjik me një tren të linjës Athinë-Selanik, që ka ndodhur rreth orës 10 të mbrëmjes së të shtunës, përshkruan me pak fjalë para kamerave televizive çastet e frikshme.

Treni me rreth 100 pasagjerë ka dalë nga shinat në zonën e quajtur Adhentro, në perëndim të Selanikut, për arsye që ende nuk dihen, ndërsa lokomotiva e tij është përplasur me një shtëpi, duke shembur pjesën më të madhe dhe duke hyrë deri në mesin e saj.

Shtëpia u ishte dhënë me qira kohë më parë, dy emigrantëve shqiptarë, të cilët kur ka ndodhur përplasja, kanë dalë të tmerruar nga pjesa e banesës që nuk është shembur, raporton Top Channel.

“Po flinim. Pastaj u zgjuam dhe pamë këtu trenin dhe më pas u larguam”, ka thënë emigranti shqiptar.

Sipas policisë dhe organeve spitalore, dy persona kanë humbur jetën, ndërsa nga 7 persona që po trajtohen në spitalet e Selanikut, dy prej tyre janë në gjendje serioze për jetën.

Në vendngjarje kanë operuar 21 makina të Repartit të Zjarrfikësve, me 45 njësi zjarrfikës, që kanë nxjerrë pas 4 orësh të gjithë pasagjerët nga vagonët e përmbysur, që janë përplasur me disa shtylla të linjave elektrike.

Shkaqet e aksidentit tragjik ende nuk dihen, ndërsa ekipe specialistësh të kompanisë së hekurudhave kanë filluar hetimet.