Veç sot më shumë se 10 aksidente në autostradën Prishtinë-Pejë Foto: Ilustrim/Koha

Për një orë e gjysmë 13 aksidente në rrugën Prishtinë-Pejë

24 August 2019 20:14
21:52

Policia e Kosovës ka njoftuar se sot në intervalin kohor nga ora 17:20 deri në ora 18:40 në rrugën Prishtinë – Pejë, nga lokacioni Kroni i Mbretit deri te mbikalimi në Komoran, në të dy drejtimet e rrugës, kanë ndodhur 13 aksidente trafiku, prej tyre 6 me lëndime trupore.

Zëdhënësi i Policisë, Daut Hoxha, ka thënë për Koha.net se deri te aksidentet dyshohet se ka ardhur si pasojë e reshjeve të shiut dhe gjendjes së krijuar në rrugë.

“Disa nga vozitësit nuk e kanë përshtatur shpejtësinë me kushtet e rrugës si dhe nuk kane mbajtur distancë të mjaftueshme ndërmjet automjeteve për të shmangur aksidentet. Qarkullimi në këtë aks rrugor është zhvilluar me vështirësi dhe janë krijuar kolona të gjata", ka thënë ai.

Sipas njoftimit, në vendngjarje kanë dalë Policia, ekipet e zjarrfikësve, ekipi i mirëmbajtjes së rrugëve si dhe autoambulancat.

Ai thotë se pas orës 19:00 qarkullimi i automjeteve në këtë aks rrugor ka filluar të normalizohet dhe policia ka kryer procedurat e nevojshme për aksidentet e evidentuara.

“Ne në vazhdimësi kemi kërkuar nga drejtuesit e automjeteve që të kenë kujdes dhe shpejtësinë e automjeteve ta përshtatin gjithnjë me kushtet dhe rrethanat në rrugët që ata qarkullojnë. Vetëm ne këtë mënyrë aksidentet mund të reduktohen dhe të kemi një siguri më të madhe nëpër rrugët tona”, thotë ai.

Sipas tij, Policia po ndërmerr dhe do të ndërmerr veprime ligjore ndaj të gjithë atyre që shkelin rregullat në trafik apo rrezikojnë sigurinë e pjesëmarrësve tjerë në trafik.

20:14

Veç sot më shumë se 10 aksidente në autostradën Prishtinë-Pejë

Më shumë se 10 aksidente kanë ndodhur sot në autostradën Prishtinë-Pejë, duke lënë disa të lënduar.

Sipas zëdhënësit të Policisë së Kosovës, Daut Hoxhaj, nga këto aksidente përveç dëmeve materiale, ka edhe të lënduar.

Ai ka thënë për Koha.net se Policia bashkë me ekipet e emergjencave është duke menaxhuar me situatën e cila, sipas tij, është shkaktuar nga reshjet e shiut.

“Ju informoj se në autostradën Prishtinë- Pejë, konkretisht prej Sllatine, Kroi i Mbretit deri në Komoran, njësitet tona policore për menaxhimin e autostradës janë duke u marrë me disa raste të aksidenteve, ku vlerësohet se ka dëme materiale dhe lëndime në njerëz. Policia bashkë me ekipet e emergjencave është duke menaxhuar me këtë situatë ku pas reshjeve atmosferike në këtë pjesë të autostradës nga të dy anët deri në këto momente kanë ndodhur më shumë se 10 aksidente”, ka thënë ai.

Ai tutje ka bërë thirrje për pjesëmarrësit në komunikacion të jenë të kujdesshëm dhe të përshtatin shpejtësinë me kushtet e rrugës.

“Ne kërkojmë nga të gjithë drejtuesit e automjeteve që të jenë të kujdesshëm, vigjilent dhe posaçërisht kur kemi ndryshime atmosferike, si reshje etj , lëvizjen e automjeteve të tyre ta përshtatin me kushtet e rrugës, për të shmangur aksidentet dhe të kenë qarkullim më të sigurt”, ka shtuar ai.

Ndërkohë si pasojë e aksidenteve kolona të mëdha janë krijuar në autostradën Prishtinë-Pejë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme