Kronikë

Kapen 1.5 ton drogë në Ulqin

Rreth 1.5 ton drogë u sekuestrua nga policia kufitare, të enjten në Ulqin të Malit të Zi.

Drejtoria e policisë dhe mediat në Mal të Zi njoftojnë se lënda narkotike u sekuestrua rreth 8 milje larg bregut të detit.

“Portal analitika” raporton se kjo sasi e drogës kishte ardhur nga Shqipëria. Ajo ishte e ndarë në 78 pako dhe transportohej me skaf që drejtohen nga dy shtetas shqiptarë B.T (33 vjeç) dhe E.C. (40 vjeç), të cilët u arrestuan dhe u dërguan në Gjykatën e lartë të Podgoricës.

Zyrtarët e policisë kufitare të Malit të Zi, bëjnë të ditur se skafi u neutralizua në afërsi të Ulqinit me drogën e llojit kanabis, ku sipas tyre destinacion e kishte tregun italian. Forca të policisë dhe ushtrisë malazeze ende vazhdojnë të kërkojnë nëpër ujërat e bregdetit të Ulqinit për pako të tjera me drogë, pasi dyshohet se një sasi e konsiderueshme e drogës është hedhur në det.