Kronikë

Dy të vdekur e tre të lënduar nga rrëzimi i skelave në një punishte në Tiranë

Descriptive Text

Dy punëtorë kanë humbur jetën dhe tre të tjerë janë lënduar kur janë rrëzuar skelat në të cilat po punonin, në një pallat që rikonstrukturohet, pranë liqenit artificial të Tiranës.

Ata ishin duke punuar në momentin që një pjesë e skelave shkëputet duke zënë viktimat poshtë, raporton TCh. Nga ky aksident tragjik, humbën jetën Ergys Brahimi 31 vjeç si dhe Orjan Kodra 36 vjeç.

Policisë iu deshën disa minuta për të nxjerrë trupat e viktimave të cilat ishin nën rrënojat që shkaktoi rrëzimi i skelës.

Të plagosur mbetën Genti Bardhi 29 vjeç, Euglidios Lika 34 vjeç dhe Altin Marku 36 vjeç. Ata u transportuan menjëherë në spitalin e traumës, për shkak të frakturave të shumta që pësuan nga rrëzimi i skelës. Nga spitali i traumës, u tha se tre të plagosurit ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa njeri prej tyre, Euglidios Lika iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale.

Skelat që u shkëputën, ishin të vendosura në pjesën e pasme të pallatit. Policia lidhur me këtë ngjarje tragjike, ka shoqëruar administratorin e punimeve të rikonstruksionit të pallatit./TCH