Kronikë

Mosmarrëveshje familjare, tre të plagosur e dy të arrestuar

Foto: Koha / Ilustrim

Policia e Kosovës nga rajoni i Pejës, ka njoftuar për një mosmarrëveshje mes dy familjeve ku si pasojë e përleshjes janë plagosur tre persona.

“Më datë 05.08.2019 rreth orës 18:15, në stacionin policor në Peje, është paraqit rasti, ‘Lëndim i lehtë trupor’ dhe ‘Kanosje’, Dy grupe të ndryshme janë përlesh në mes vete, dyshohej se ishte përdorur edhe arma. Policia menjëherë është përgjigjur dhe në vendin e ngjarjes ka takuar 3 viktima njëri nga këta i gjinisë femërore. Viktimat, kanë pësuar lëndime të lehta trupore, të njëjtit janë dërguar për tretman mjekësor. Personat e dyshuar kanë ikur nga vendi i ngjarjes në drejtim të panjohur dhe me datë 06.08.2019 rreth orës 13:00, 2 të dyshuarit janë identifikuar dhe arrestuar nga Policia e Stacionit Policor në Mitrovicë”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave motivi i gjithë kësaj ishin mosmarrëveshjet familjare, pasi që viktima dhe njëri nga të dyshuarit kishin bashkëjetuar në Suedi.

Të dyshuarve u është konfiskuar arma (pistoletë me gaz) e markës GAP cal. 9mm, të njëjtit janë intervistuar nga hetuesit Policor dhe me urdhër të prokurorit të shtetit janë ndaluar për 48-orë.