Kronikë

Një muaj paraburgim pasi falsifikonte dokumente të ndryshme

Gjykata Themelore në Prishtinë - Departamenti i Përgjithshëm - Divizioni për Çështje Penale ka vendosur lidhur me kërkesën e Prokurorisë Themelore të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit N.L. për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale në bashkëkryerje “Mashtrimi” dhe “Falsifikim i dokumenteve”.

Gjykata ka marrë aktvendim dhe të pandehurit N.L. i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej një 1 muaji.

“Ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri N.L. nga viti 2018 e deri me datën e arrestimit në muajin korrik të këtij viti, në vazhdimësi ka kryer veprat penale që i vihen në barrë duke përpiluar dokumente të falsifikuara në mënyrë që të përfitojë materialisht dhe duke ua siguruar këto dokumente klientëve të ndryshëm të cilët për këto shërbime kanë paguar shuma në vlera të ndryshme duke filluar nga 500 deri në 2000 euro”, thuhet në komunikatë.

Gjykata ka konstatuar se është përmbushur kriteri nga neni 187 par.1 nën. par.1.1 dhe 1.2, pika 1.2.1., 1.2.2 dhe 1.2.3 të KPPRK-së për caktimin e masës së paraburgimit.

Kundër këtij vendimi palët kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit të Kosovës.