Kronikë

Shpërthime e të shtëna me armë zjarri në Pejë, lëndohet një person

Descriptive Text

Një person është plagosur si pasojë e dy shpërthimeve dhe disa të shtënave me armë zjarri në një parking automjetesh në afërsi të një lokali në rrugën “Kreshnik Ademaj” në Pejë.

Sipas njoftimit të Policisë rajonale, rasti ka ndodhur të premten rreth orës 23:30 ndërkaq policia me të pranuar informatën ka ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme policore në vendin e ngjarjes.

Sipas njoftimit, është informuar prokurori i shteti dhe të gjitha veprimet për këqyrjen e vendit të ngjarjes janë koordinuar me të njëjtin.

“Sipas të dhënave të para nga vendi i ngjarjes, janë dëgjuar dy shpërthime nga mjeti rrezikshëm shpërthyes dhe të shtëna me armë zjarri në një parking automjetesh në afërsi të një lokali në rrugën e cekur më lartë”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu njoftohet se nga ky shpërthim, lëndime të lehta trupore ka pësuar një person, të cilit ju ka afruar ndihma e menjëhershme mjekësore në Spitalin Rajonal Pejë dhe i njëjti pas ndërhyrjes mjekësore është liruar për në shtëpi.

Një numër i konsiderueshëm i automjeteve të cilat ishin të parkuara në ketë vend janë dëmtuar.

Rasti është duke u hetuar nga Njësiti Hetimeve Rajonale DRP Pejë dhe deri më tani ende nuk janë identifikuar personat e mundshëm të dyshuar për ketë rast.