Kronikë

Ministri Tahiri kërkon të sqarohen deri në fund rrethanat e vdekjes së të miturit në Fushë Kosovë

Descriptive Text

​Ministri i Drejtësisë, Ableard Tahiri, ka kërkuar që rrethanat e vdekjes së të miturit nga Fushë Kosova të sqarohen deri në fund.

Tahiri thotë se si ministër i Drejtësisë është thellësisht i bindur se dinjiteti i njeriut në shoqëri nuk mund të jetë subjekt i angazhimit ose mos angazhimit të institucioneve.

“Rrethanat e vdekjes së të miturit nga Fushë Kosova duhet sqaruar deri në fund. Pa dashur të paragjykoj asnjë element rreth këtij rasti, si Ministër i Drejtësisë jam thellësisht i bindur se dinjiteti i njeriut në shoqërinë tonë nuk mund të jetë subjekt i angazhimit ose mos angazhimit të institucioneve. Përgjegjësitë tona ligjore, kushtetuese e institucionale janë të ndara, por të gjitha bashkë janë në funksion të shoqërisë dhe anëtarëve të saj pa dallim”, ka shkruar në Facebook Tahiri.

Lexo edhe: Arrestohet i dyshuari për dhunim e vrasje të 12 vjeçarit në Fushë Kosovë

Tahiri, tutje thotë se vlera e institucioneve merr tipare kuptimplota vetëm atëherë kur ato arrijnë të përmbushin misionin e tyre.

“Mbi pretendimet që janë ngritur për mundësinë e neglizhencës në trajtimin e paralajmërimeve të këtij rasti, konsideroj se duhet një hetim i plotë dhe pa paragjykim. Institucionet e zbatimit të ligjit në Republikën e Kosovës funksionojnë mirëfilli dhe janë agjens të plotfuqishëm e të besueshëm, të cilëve qytetarët ju drejtohen për ndihmë. Prandaj brenda tyre neglizhenca nëse ka të tillë, nuk mund të tolerohet”, ka shkruar Tahiri.

Lexo edhe: 12 vjeçari në Fushë Kosovë ishte dhunuar 3 herë nga i njëjti person, KOMF-i kërkon nga Prokuroria zbardhjen e rastit