Kronikë

30 ditë paraburgim shoferit që shkaktoi aksident me fatalitet në Gjilan

Descriptive Text

Gjykata Themelore në Gjilan i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit K.Z.

Sipas njoftimit, me datë 4 korrik 2019, rreth orës 23:00 minuta, në fshatin Uglar të komunës së Gjilanit, i dyshuari K. Z., me automjetin e tij “Opel”, ka shkaktuar aksident trafiku.

Njoftohet se deri tek aksidenti ka ardhur në atë mënyrë që duke mos përshtatur shpejtësinë e lëvizjes, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe ka kaluar në shiritin e kundërt të lëvizjes, ku me pjesën e përparmë të automjetit, e ka goditur në pjesën e parë automjetin tjetër “Mercedes”, të cilin e drejtonte G.S., e i cili për shkak të lëndimeve të marra ka humbur jetën.

Gjithashtu në këtë aksident kanë mbetur të lënduar edhe tre pasagjerë të tjerë, të cilët kanë marr ndihmë mjekësore.

“Me këtë veprime i pandehuri, dyshohet të ketë kryer veprën penale ‘’rrezikim i trafikut publik”, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës” thuhet në njoftim.

Bëhet e ditur se, gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi caktimi i masave tjera alternative do të ishin të pamjaftueshme për zhvillimin me sukses të procedurës penale.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​