Kronikë

14 vjet burgim “Mollës së kuqe” për krime lufte ndaj popullatës civile

14 vjet burgim i ka dhënë Gjykata Themelore në Prizren të akuzuarit Remzi Shala për krime lufte.

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit Remzi Shala, me pseudonim “Molla e kuqe”, nga fshati Shirokë, Komuna e Suharekës.

Kjo për shkak se, sipas Gjykatës, në bashkëkryerje ka kryer veprën penale "krime lufte kundër popullsisë civile".

"I akuzuari me iniciale R.SH. nga fshati Shirokë Komuna e Suharekës, për veprën penale si në dispozitivin e kësaj aktakuze, gjykata e ka shpallur fajtor dhe e ka dënuar me 14 vjet burgim, në të cilin dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim prej datës 24.05.2019 e deri në plotfuqishmërinë e këtij aktgjykimi", u tha në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.