Kronikë

Kapet edhe i dyshuari i dytë për grabitjen në Marash të Prizrenit

Descriptive Text

Prizren, 26 qershor - Tri ditë më parë,saktësisht më 23 qershor, në orët e mbrëmjes, përderisa dy qytetarë të Prizrenit ishin duke shëtitur në shtegun ‘Marash’, janë sulmuar dhe grabitur nga dy persona, të cilët përveç lëndimeve që iu kanë shkaktuar viktimave kanë arritur t’ua marrin me forcë edhe një shumë parash.

Patrulla policore pas informacionit të marrë për rastin ka ndaluar një person të dyshimtë, kurse tjetri kishte arritur t’i shmanget ndalimit të Policisë në atë kohë dhe nuk dihej identiteti i tij.

Hetuesit e Policisë në Prizren në saje të përpjekjeve intensive ia kanë dalë të identifikojnë edhe personin e dytë të dyshimtë, të përfshirë në veprën e grabitjes dhe ai sot është ndaluar, pavarësisht përpjekjes për t’iu shmangur kontrollit dhe arrestimit, bëri të ditur Policia në Prizren.

Gjatë intervistimit, në praninë e avokatit mbrojtës, i dyshimti ka pranuar se e ka kryer këtë veprim. Me urdhër të prokurorit ai është ndaluar për 48 orë në mbajtje.

Të dyshuarit e arrestuar në këtë rast janë:

L. B. lindur me 2001, m/sh/k

E. T. lindur me 1992, m/sh/k

Rasti është duke u trajtuar nga hetimet e Policisë në Prizren, saktëson njoftimi i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren