Kronikë

Një i arrestuar në Gremnik të Klinës për çështje të statusit të veteranit të UÇK-së

Pejë,29 maj - Prokuroria Themelore e Pejës njofton se sot, më 29 maj 2019, pas kërkesës së kësaj prokurorie, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Pejës, dega në Klinë, ka realizuar bastisje në koordinim me Policinë e Kosovës, përkatësisht me Njësitin për krime ekonomike, në shtëpinë e një të dyshuari në fshatin Gremnik të komunës së Klinës.

Gjatë bastisjes në shtëpinë e të dyshuarit Xh.M., është gjetur dokumentacion i falsifikuar që ndërlidhen me listat e veteranëve.

I dyshuari Xh.M. është arrestuar nga Policia e Kosovës, ndërsa prokurori i shtetit ka marrë aktvendim për ndalimin e tij 48 orë.

Javën e kaluar, Prokuroria Themelore e Pejës, lidhur me listat e veteranëve luftëtarë të UÇK-së, ka ngritur 20 aktakuza, kundër 21 personave, për veprat penale “Legalizim i përmbajtjes se rreme”, nga neni 403, të Kodit Penal të Republikës së Kosovës. ​