Kronikë

UNMIK-u kërkon lirimin e dy zyrtarëve të vet, që u arrestuan në veri

Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK-u ka kërkuar lirimin e dy punëtorëve të vet që janë ndaluar sot gjatë aksionit të Policisë në veri.

Në një njoftim për media, UNMIK ka thënë se po i përcjell me shqetësim zhvillimet e fundit në Kosovë.

KTV-së i është konfirmuar përmes burimeve se punëtorët e UNMIK-ut që janë arrestuar janë: Mikhail Krasnoschekov dhe Dejan Dimovic.

“UNMIK-u po përcjell me shqetësim të madh zhvillimet në veri të Mitrovicës sot përfshirë ndalimin e dy personave që janë punëtorë të UN gjatë aksionit të Policisë. Të dy pjesëtarët e UNMIK-ut janë transferuar në spital për trajtim të lëndimeve. Ne jemi duke shikuar rrethanat e sakta në koordinim të plotë me të gjitha organizatat ndërkombëtare në terren”, thuhet në njoftim.

Përfaqësuesi special i sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Kosovë, Zahir Tanin ka bërë thirrje për lirim të menjëhershëm të stafit të UNMIK-ut, duke shtuar se “çdo lëndim i pjesëtarëve të UNMIK-ut do të ketë përgjigje të lartë ligjore diplomatike dhe ndërkombëtare”.

“Iu bëjë thirrje të gjitha palëve që të udhëhiqen nga principet e sundimit të ligjit dhe dinjitetit për jetë, liri dhe të ndihmojnë në rikthimin e qetësisë dhe sigurisë në këtë pjesë”, ka thënë ai.

Sot në mesin e shumë të arrestuarve, presidenti i Kosovës Hashim Thaçi deklaroi se ishte edhe një rus që ishte kamufluar si diplomat. Për këtë reagoi Rusia që kërkoi lirimin e menjëhershëm të shtetasit të saj, për të cilin tha se punon në UNMIK.