Kronikë

I ngritët aktakuzë pasi ngacmoi seksualisht dy të mitura

Prokuroria Themelore në Gjilan, sot ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurit R.A., i cili gjendet nën masën e paraburgimit që nga data 11 maj 2019, pasi kishte ngacmuar seksualisht dy vajza të mitura.

Sipas aktakuzës, më 11 maj 2019, rreth orës 8:15 minuta, në fshatin Pozheran, komuna Vitisë, i pandehuri R.A. (1979), ka ngacmuar seksualisht dy vajza të mitura, në atë mënyrë që derisa ato shkonin në shkollë, i pandehuri me veturën e tij, i ka tejkaluar, pastaj është kthyer mbrapa duke iu thënë që të hynin në veturë për t’i dërguar në shkollë dhe se i njihte prindërit e tyre. Të miturat fillimisht nuk kanë pranuar, mirëpo pas insistimit të tij, të miturat hyjnë dhe ulen mbrapa në veturë, me ç’rast i pandehuri e devijon rrugën dhe i ngacmon me fjalë.

Në njoftim thuhet se si pasojë e shqetësimit dhe pasigurisë, vajzat e mitura kanë kërcyer nga vetura deri sa ishte në lëvizje, ku kanë marrë lëndime trupore në gjunjë dhe këmbë, të cilat për shkak të lëndimeve janë detyruar të kërkojnë ndihmë mjekësore, fillimisht në Shtëpinë e Shëndetit në Viti, e më pas edhe në Spitalin Regjional, në Gjilan.

Me këto veprime, i pandehuri R.A., ka kryer veprën penale ‘’Ngacmimi seksual’’.