Ish-ushtarit të UÇK-së, Remzi Shalës, i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditëve Foto: Koha

Ish-ushtarit të UÇK-së, Remzi Shalës, i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditëve

24 May 2019 17:24

Ish-ushtari i UÇK-së, Remzi Shala, i njohur edhe si “Molla e kuqe”, është arrestuar mëngjesin e së premtes në shtëpinë e tij në Suharekë.

Lajmin për Koha.net e ka bërë të ditur avokati i tij, Natal Bullakaj.

Ai ka thënë se Shala është arrestuar me urdhër të Gjykatës Themelore të Prizrenit, nën akuzën për krime lufte ndaj popullsisë civile, rast ky i cili ishte në procedurë.

Sipas Bullakajt, atij i është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditëve.

“Në ora 08:00, Policia e Suharekës kanë shkuar tek shtëpia e tij ku janë takuar me djalin e vet, Lirdon Shalën, edhe e kanë takuar Remziun. Menjëherë është njoftuar kryetari e trupit gjykues. Kryetari i trupit gjykues e ka njoftuar prokurorin e Prokurorisë Speciale dhe mua, që në orën 14:00 duhet me e organizua seancën dëgjimore. Ne jemi paraqit në seancën dëgjimore për caktim të paraburgimit. Ka bërë propozimin gojor prokurori i Prokurorisë Speciale”, ka thënë ai.

Bullakaj ka thënë se i ka paraqitur arsyet me të cilat kundërshton këtë masë derisa thotë se Shala ka përsëritur qëndrimin e tij që nuk do t’i përgjigjet Gjykatës Speciale.

“Unë i thash arsyet e mija që e kam kundërshtuar këtë masë sepse edhe vetë Remzi Shala deklaroi, tha ‘unë vazhdimisht Gjykatës vendore iu kam paraqitë me rregull’ dhe është e vërtetë ‘mirëpo Gjykatës Speciale, edhe sot me më dërgu ftesë, nuk iu shkoj, nuk i paraqitëm’. Gjykata i ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve”, ka shtuar ai.

Ai e ka përsëritur se arrestimi i sotëm është bërë nga Gjykata vendore dhe jo nga Specialja.

“Nuk është marrë sot nga Gjykata Speciale, sot gjykata jonë, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda, e ka marr çështjen se e kemi pas procedurën në vazhdim për krime lufte të popullsisë civile në Gjykatën vendore”, ka përfunduar ai.

Kujtojmë se Shala në vazhdimësi ka refuzuar t’i përgjigjet Gjykatës Speciale, ftesa e së cilës i kishte ardhur në dhjetor të vitit të kaluar.

Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale si i përfshirë në rrëmbimin e Haxhi Përteshit, i cili më vonë ishte gjetur i vdekur.

Ish-ushtari i UÇK-së, Remzi Shala, ishte ftuar të paraqitet më 17 janar në Hagë nga Prokurori i Specializuar. Por, që nga marrja e kësaj ftese, Shala ishte arratisur duke thënë se nuk e njeh institucionin e Gjykatës Speciale dhe nuk do të paraqitet vullnetarisht për intervistim.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme