Kronikë

Aktakuzë gjakovarit që sulmoi policin

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka ngritur aktakuzë kundër G.G. nga Gjakova pasi dyshohet se kishte sulmuar zyrtarin policor E.K. më 12 mars të vitit 2019.

I pandehuri, sipas aktakuzës, më 12 mars në rrugën “Ismail Qemali” në Gjakovë, kishte sulmuar zyrtarin policor gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. I dyshuari kishte thyer xhamin e një lokali e policia kishte shkuar ta kontaktonte të dyshuarin, por i njëjti ishte bërë agresiv dhe duke mos iu bindur urdhrave të policëve, ishte futur në një lokal dhe ka filluar të gjuante me gjëra të forta zyrtarët, e të dëmtuarin e kishte sulmuar dhe e kishte goditur në këmbën e majtë duke i shkaktuar lëndime trupore, sipas njoftimit nga prokuroria.

Me këto veprime, prokuroria thotë se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri ka përmbushur elementet e veprës penale “sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare”.