Kronikë

Një muaj paraburgim për blerje e shpërndarje të narkotikëve

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore e Prizrenit, Departamenti i Krimeve të Rënda duke vendosur sipas kërkesës së Prokurorisë Themelore të Prizrenit, ka caktuar masën e paraburgimit në kohë zgjatje prej 30 (tridhjetë) ditë, ndaj të pandehurit me iniciale A.S. nga Prizreni.

“Kjo për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja ose shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge nga neni 267 par.1.lidhur me nenin 31.të KPRK-së. Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 15.05.2019 e cila do të zgjasë deri me datën 14.06.2019”, thuhet në komunikatë.

Aty thuhet se me datën 14.04.2019, i pandehuri, ka poseduar pa autorizim, me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, substanca të dyshuar për narkotik të llojit marihuanë.

“Tani për tani në sasi të papërcaktuar, në atë mënyrë, që kur zyrtarët policor pran Stacionit Policor në Dragash me datë 14.05.20019, ishin të angazhuar rreth një rasti të raportuar ku ishte e përfshirë edhe bashkëshortja e të pandehurit me iniciale A.S., këtu e pandehura e dytë me iniciale B.N. zbulojnë në telefonin e markës “Samsung J7”, pa sim kartelë, të cilin telefon e kanë në përdorim këta të dy, video incizime, ku vërehet sasi e substancës narkotike, qese të vogla që shërbenin për paketim të substancës narkotike, i cili incizim ishte bërë në shtëpinë e banimit të pandehurit të parë dhe të dytë, në Prizren, ndërsa për sigurimin e kësaj substance ka qenë i përfshirë edhe i pandehuri me iniciale V.S. dhe pastaj këtë sasi bashkërisht të ofrojnë personave të tjerë për shitje apo shpërndarje, pasi që i dyshuari nga informatat e policisë ka të regjistruar edhe raste tjera penale , për çka tregojnë rrezikun e përsëritjes së veprës penale apo përfundimin e kësaj vepre penale apo ndonjë vepër tjetër të kësaj natyre, gjykata ka caktuar masën e paraburgimit prej 30 (tridhjetë) dite”, përfundon njoftimi.