Kronikë

Ekstradohet nga Kosova në Shqipëri Burim Haxhiolli, i dyshuar për skema piramidale

Foto: Ilustrim

Është ekstraduar nga Kosova në Shqipëri një shtetas i dyshuar për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale” .

Nga Specialistët e Interpol Tirana u krye ekstradimi nga Kosova drejt Shqipërisë i shtetasit kosovar Burim Haxhiolli, 40 vjeç, banues në Suharekë.

Shtetasi Burim Haxhiolli ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Z.Q.K Interpol Tirana, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, e ka dënuar me 13 vjet burg për veprat penale të “Mashtrimit” dhe “Pastrim i produkteve të veprës penale” parashikuar nga nenet 143/2 dhe 287/b të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.

“Burim Haxhiolli në bashkëpunim me shtetasin V.K, kanë përfituar me anë të mashtrimit shuma të mëdha nga persona të ndryshëm gjatë vitit 2009 dhe 2010 në Shqipëri. Më pas këto shuma parash i kanë transferuar nëpërmjet bankave të nivelit të dytë. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Policinë e Kosovës, u bë i mundur arrestimi i tij në Kosovë, duke u finalizuar me ekstradimin e tij drejt vendit tonë”, shkruan Top Channel.

Gazeta “Panorama”, ndërkaq, më 21 prill të vitit 2018 kishte raportuar se një shtetas kosovar i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 13 vjet burg për mashtrim dhe pastrim parash, ishte ekstraduar në Shqipëri nga Hungaria më 19 prill.

I ekstraduari ishte Valon Kyçyku, 43 vjeç nga Prizreni, i cili fillimisht ishte arrestuar në Tiranë në vitin 2010, bashkë me një shtetas tjetër nga Suhareka e Kosovës, të dyshuar për ngritjen e një skeme piramidale. Gjatë operacionit që ishte koduar “Rruga pa sukses”, forcat e Policisë së Tiranës kishin arrestuar më 6 maj të vitit 2010 Valon Kyçykun dhe Burim Haxhiollin.

Këta të dy persona, për muaj me radhë, kishin arritur të ngrinin një strukturë piramidale në Tiranë, duke mundur që të mashtronin rreth 400 persona, nga të cilët dyshohet se kanë përfituar afro 500 mijë euro.

Operacioni për arrestimin e tyre ishte zhvilluar gjatë orëve të natës, nga strukturat e Drejtorisë Kundër Krimit Financiar dhe njësisë Task-Forcë të Prokurorisë së Tiranës. Burimet patën thënë në atë kohë se Kyçyku dhe Haxhiolli u vunë në pranga në ambientet e një salle, pranë një kompleksi te “Varrezat e Dëshmorëve” në Tiranë, teksa u jepnin leksione 100 personave që kishin mashtruar.

Nga të mashtruarit, 50 persona sapo kishin derdhur në llogarinë bankare, të hapur në emër të shoqërive të kosovarëve, “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, shumën prej rreth 2290 eurosh secili.

Skema e mashtrimit

Dy kosovarët Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli, të cilët pretendonin se administronin dy shoqëri private, “Euro Life Dooel” dhe “Gem Colection”, prej disa muajsh kishin ngritur në Tiranë një skemë piramidale mashtrimi. Vetëm njëra nga shoqëritë, ajo me emër “Euro Life Dooel”, rezultonte e regjistruar me seli në Qipro dhe filial në Shkup të Maqedonisë, ndërsa tjetra dyshohej të ishte fiktive.

Administratorët kishin hapur një numër llogarie në emër të shoqërisë reale, në filialet e një banke të njohur, që kishte degë në Tiranë, Kosovë dhe Maqedoni. Në këtë mënyrë ata e kishin bërë mjaft të besueshme veprimtarinë e tyre, duke arritur që të fusin në “kurth” rreth 400 persona në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni. Personat që rekrutonin, sipas Policisë, ishin punëtorë ndërtimi, marangozë, hidraulikë, të cilët janë joshur nga ideja e pasurimit të shpejtë, nga leksionet e biznesit që u jepnin dy kosovarët.

Por nga ana tjetër, mes të mashtruarve kishte edhe biznesmenë e gazetarë. Valon Kyçyku dhe Burim Haxhiolli u kërkonin këtyre personave të paguanin nga 2330 euro për t’u anëtarësuar në shoqërinë e tyre. Por që të pasuroheshin duke marrë përqindje të majme, ata duhej që të rekrutonin secili nga tre persona të tjerë, të cilët po ashtu duhet të derdhnin në llogarinë bankare shumën e caktuar.