Kronikë

Në Viti gjenden 2 mijë litra naftë, dyshohet se janë vjedhur nga kompanitë ndërtuese të autostradës

Descriptive Text

Policia e Kosovës, njësitet e hetimeve në Viti përmes rrugëve operative kanë marr një informatë se dje në ora 16:30, në fshatin Sedovin e Qerkezëve në Viti, dyshohet se janë dy vetura kombi që po transportojnë derivate të naftës të cilat dyshohet se janë të vjedhura .

Policët hetues, në oborrin e një shtëpie në këtë fshat kanë parë një veturë kombi me targa 05 dhe rreth 60 bidonë me derivate të naftës të cilët sapo ishin shkarkuar nga kombi me rreth 2000 litra naftë.

“Kemi kontaktuar me pronarin e shtëpisë si dhe me një person nga fshati Komogllavë i cili deklaroi se është pronari i veturës kombi. Është kontaktuar Prokurori i Shtetit i cili ka urdhëruar që sasia e derivateve që gjendej në bidona dhe vetura e dyshuar të sekuestrohen përkohësisht si dhe të dy personat e dyshuar, pronari i mjetit dhe personi te i cili janë gjetur derivatet të shoqërohen në stacionin policor të Vitisë fillimisht”, bëhet e ditur në njoftimin për media të Policisë së Kosovës.

Janë thirrur njësitet e Policisë së Kosovës nga hetimet e stacionit policor të Ferizajt pasi që besohet se sasia e konfiskuar e naftës është vjedhur në rajonin e Ferizajt, më saktësisht nga depot apo automjetet e kompanive që po punojnë në autostradën Prishtinë - Shkup.