Kronikë

Një drejtor shkolle në Malishevë, dënohet me 8 muaj burgim e 1000 euro gjobë për ryshfet

Gjykata Themelore në Gjakovë - Departamenti për Krime të Rënda ka shpallur aktgjykim dënues kundër të akuzuarit I.H. për veprën penale, “Marrja e ryshfetit” nga neni 428 paragrafi 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

I akuzuari I.H. është shpallur fajtor dhe është dënuar me burg në kohëzgjatje prej 8 muaj dhe dënim me gjobë në shumën prej 1.000 euro, i cili dënim duhet të ekzekutohet në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi.

“I akuzuari është obliguar që të paguaj shpenzimet procedurale si dhe shumën prej 50 euro, në emër të kompensimit të viktimave të krimit. Pas përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të zhvilluar kundër të akuzuarit I.H., gjykata ka ardhur në përfundim se në bazë të gjendjes së vërtetuar faktike, i akuzuari, në cilësinë e personit zyrtar (drejtor shkolle) ka kërkuar ryshfet në shumën prej 1.500 euro nga G.K., menaxher në restorant “B...-.” në Malishevë për të organizuar mbrëmjen e maturës të vitit 2018”, thuhet në komunikatë.

Pala ka të drejtë ankese kundër këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.