Kërkohet paraburgim për dy të dyshuar për shembjen e ish-hotel Adriatikut

Kërkohet paraburgim për dy të dyshuar për shembjen e ish-hotel Adriatikut

23 April 2019 17:17

Prokuroria Themelore në Mitrovicë - Departamenti për Krime të Rënda, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Mitrovicë caktimin e paraburgimit për dy të dyshuarit A.H dhe Q.H, për shkak të dyshimit të bazuar për kryerjen e veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm” nga neni 365 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, bëhet e ditur përmes një komunikate për media.

Sipas kërkesës së prokurorisë të dorëzuar në gjykatë, ekziston dyshimi i bazuar se të dyshuarit A.H dhe Q.H me datën 22.04.2019 rreth orës 16:55, sipas marrëveshjes gojore mes vete dhe pa konsultimin e ekspertit përkatës për rrënimin e objekteve kanë filluar t’i kryejnë punët në objektin ndërtimor në objektin e ish-hotelit Adriatik, të cilën pronë i pandehuri A.H e ka marrë me qira dhe në cilësinë e punëdhënësit, ndërsa i pandehuri Q.H në cilësinë e punëkryesit, transmeton Koha.net.

“Në kohën kur punëtorët - dëshmitarët A.M, M.M dhe S.H po pastronin objektin në katin e parë, viktima V.B. kishte hipur në skelë dhe po priste shtyllën e katërt me radhë të katit të parë të objektit, në këtë moment punëtorët-dëshmitarët e vërejnë se po shembet një pjesë e objektit dhe fillojnë të ikin në drejtim të derës së hyrjes, ndërsa viktima nuk arrin që të ikë dhe i njëjti mbetet nën rrënojën e objektit, dhe pas disa orëve nxjerrët pa shenja jete”, thuhet në komunikatë.

Dy të dyshuarit janë arrestuar ditën e hënë me datën 22 prill dhe me urdhër të prokurorit për momentin gjenden në ndalim 48 orësh.

Seanca për caktimin e paraburgimit pritet të mbahet para gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme