Kronikë

Në autobusin Brezovicë-Beograd zbulohen 6 kg “drogë e askujt”

Mbi gjashtë kilogramë drogë e llojit marihuanë, që vinte nga territori i Kosovës, janë zbuluar në pikëkalimin kufitar Merdar, në autobusin që qarkullon nga Brezovica për në Beograd, raportojnë mediat serbe, transmeton Koha.net.

Droga ishte e shpërndarë në gjashtë paketime dhe u gjet gjatë kontrollit të udhëtarëve dhe të bagazhit të autobusit, me regjistrim të Vranjës, i cili qarkullon në relacionin Brezovicë-Beograd.

Pyetjes së doganierit nëse dikush nga udhëtarët kishte ndonjë gjë për të paraqitur për doganim, të gjithë ishin përgjigjur negativisht.

Kur secili mori gjësendet e veta për t’iu shtrua një kontrolli të hollësishëm, në bagazh kishte mbetur vetëm një valixhe e kuqe. Atë askush nuk e mori, thekson komunikata e Doganës së Serbisë.

Në të, përveç gardërobës për fëmijë, u gjetën dy qese në të cilat ishin gjashtë pako të vogla me 6,105 kg marihuanë.

Meqë valixhja nuk i ishte dhënë shoferit si ndonjë dërgesë me porosi, ndërsa atij as që i kujtohej se cili nga udhëtarët e kishte sjellë, hetimin e mëtejshëm bashkë me sasinë e drogës e mori përsipër policia dhe prokuroria, bëjnë të ditur mediat.

Image