Kronikë

Lagjja “Vreshta”, cak i hajnave

Descriptive Text

Banorët e lagjes Vreshta të kryeqytetit janë në hall me hajnat. Cak i vjedhjeve në këtë lagje janë bërë shtëpitë, e që për banorët është mjaft shqetësuese sepse përveç dëmit ata po ndihen edhe të rrezikuar për jetë.

E për të pasur një siguri më të lartë, pothuajse të gjitha shtëpitë në këtë lagje të Prishtinës janë pajisur me kamera.

Rasti i fundit i plaçkitjes ndodhi dy javë më parë, kur familja Hasani kishin shkuar për të pushuar, dhe kur ishin kthyer e kishin gjetur shtëpinë të thyer nga hajnat. E rastin në Polici e kishte lajmëruar djali i cili po qëndronte në shtëpi i vetëm.

Zonja e shtëpisë, S.H ka treguar për KosovaPress se teksa ata po pushonin në “Banjën e Kllokotit”, në shtëpinë e tyre u kishin hyrë hajnat të cilët u kishin shkaktuar disa dëme.

Ajo thotë se ka qenë e tmerruar momentin kur e ka parë gjendjen e shtëpisë.

“Kur hynë hajni në shtëpi ku e dinë t’i çka ndodh, djali ka qenë këtu por fatbardhësisht ka qenë në punë. Në pikë të ditës hanë hyrë, a kanë hyrë dy, a ka hy një, sipas informatave nga policia kanë qenë këmbë të mëdha dhe disa të vogla, por ata kanë hyrë rreth shtëpisë dhe pas shtëpie...Kanë hyrë për dritare e kanë hapur me pajser nuk e kanë thyer, kanë hyrë pastaj kat më kat përpjetë. Dhomën time e kishin bërë sikur me qenë luftë”, tha ajo.

Ajo është shprehur e pakënaqur edhe me punën që po e bëjnë organet e rendit.

“Kur djali i ka lajmëruar, janë vonuar 40 minuta. Kur të lajmërosh nuk mund të thuash se është urgjente a nuk është urgjente, derisa kanë ardhur kanë mundë me mbyt. Këtu kam vërejtje edhe për ata, se fundi i fundit kur të bëhet vepra tani asgjë nuk mund të ndihmosh”, tha ajo.

Banorët e kësaj lagjeje të kryeqytetit kanë thënë se hajnat kanë kryer vjedhje edhe te shtëpitë tjera afër tyre, dhe që cak i këtyre vjedhjeve janë edhe shtëpitë e pabanuara.

I shqetësuar për plaçkitjet që po ndodhin në lagjen e tij është shprehur edhe banori tjetër, Kadri Hasagjekaj, i cili tha se për shkak të këtyre ndodhive nuk po guxon ta lë shtëpinë vetëm.

Ai thotë se edhe Policia patrullojnë rrallë në këtë zonë, prandaj edhe hajdutët po i rrezikojnë ata.

“Po hyjnë hajnat, mua personalisht ende nuk më ka ndodhur, por kurrë shtëpinë vetëm nuk guxoj ta lë, në kojshi i kanë vjedhur disa herë. Janë njoftuar edhe policia as nuk marrin masa” ,tha i shqetësuar ky banor.

Se vjedhje të shumta po ndodhin në lagjen “Vreshta“, e pranojnë edhe Policia e Kosovës.

Sipas Drejtorisë Rajonale në Prishtinë vetëm në muajin mars kanë ndodhur 6 vjedhje për të cilat janë nisur edhe hetimet.

Përmes emailit nga zyra për informim në këtë institucion të sigurisë kanë bërë të ditur se në tre mujorin e parë të këtij viti kanë ndodhur 308 vjedhje prej tyre 200 janë cilësuar si të rënda, kurse janë arrestuar gjithsej 608 persona.