Kronikë

Personi që u dogj në veturë në Skenderaj dyshohet se është vrarë

Descriptive Text

Policia e Kosovës ka njoftuar se rasti i së hënës kur një person u gjet i vdekur brenda një veture të djegur në Skenderaj është duke u hetuar si “vrasje e rëndë”.

Viktima dyshohet të jetë I.Z., 48-vjeçar.

Një person në Skenderaj vdes pasi digjet në veturën e tij

“Rreth orës 19:00 të datës 8 prill 2019, Policia ka pranuar informacion se në fshatin Prekaz i Epërm të Skenderajt, një veturë ishte kapluar nga zjarri. Drejtë vendit të ngjarjes me urgjencë kanë reaguar njësitë policore dhe njësia e zjarrfikësve ku pas fikjes së zjarrit brenda në veturën e djegur është gjetur një trup i pajetë. Nga hetimet e para dyshohet se trupi i pajetë është i viktimës I. Z. rreth 48 vjeçar, ndërsa vetura e djegur me targa vendore ishte në pronësi të viktimës”, thuhet në njoftim.

Në njoftimin e policisë bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës.

“Nga këqyrja e vendit të ngjarjes dhe hetimet fillestare të bëra nga hetuesit e Krimeve të Rënda në vendin e ngjarjes janë gjetur pesë gëzhoja të armës. Marrë parasysh të gjeturat fillestare në vendin e ngjarjes dhe elementet tjera rethanore, sipas prokurorit të rastit hetimet janë duke u zhvilluar mbi dyshime për vepër penale ‘vrasje e rëndë’. Me urdhër të prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar për obduksion”, përfundon njoftimi.