Kronikë

Një vit burg për personin që kishte therur një tjetër në komunikacion pesë vjet më parë

Foto: Koha / ilustrim

Gjykata Themelore e Prizrenit ka dënuar me një vit burgim të akuzuarin SH.K., i cili në vitin 2014 kishte therur me thikë të dëmtuarin G.Ç., pas një mosmarrëveshje në komunikacion.

Sipas njoftimit, SH.K. kishte goditur të dëmtuarin me thikë në pjesën e barkut, me ç’rast i kishte shkaktuara lëndime të rënda trupore të cilat rezultojnë me dobësimin esencial të një pjese vitale të trupit, transmeton Koha.net.

Rasti kishte ndodhur në rrugën “Reshat Karjagdiu” në Prizren pesë vjet më herët, pas një mosmarrëveshje në lidhje me tejkalimin e automjeteve në komunikacion.

“Me datën 06.12.2014 rrethe orës 15:00, në Prizren në rr. Reshat Karjagdiu, i shkakton lëndime të rënda trupore të cilat rezultojnë me dobësimin e përkohshëm ose esencial të një pjese vitale të trupit të personit tjetër, të dëmtuarit me iniciale G.Ç., në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje në lidhje me tejkalimin e automjeteve në komunikacion, i pandehuri e sulmon fizikisht të dëmtuarin, duke e goditur me një thikë në pjesën e barkut, me ç’rast i shkakton lëndime të rënda trupore, lëndime të përshkruara si në mendimin dhe konstatimin e ekspertit mjeko – ligjor”, thuhet ndër të tjera në komunikatë.