Një muaj paraburgim personit që kanosi policët teksa e arrestonin Foto: Koha / ilustrim

Një muaj paraburgim personit që kanosi policët teksa e arrestonin

02 April 2019 14:27

I është caktuar masa e paraburgimit prej një muaji të pandehurit P.Th. nga Prizreni për shkak të dyshimit se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, dhe “pengim i personit zyrtar në kryerjen e detyrave zyrtare”.

Masa e paraburgimit do të llogaritet prej datës së arrestimit 31.03.2019 e cila do të zgjasë deri me datën 30.04.2019, ka njoftuar Gjykata Themelore në Prizren.

Sipas njoftimit, i pandehuri më 31 mars 2019 rreth orës 01:00 në fshatin Korishë të Prizrenit në lokalin e natës “Hiti”, duke kanosur kishte tentuar t’i pengonte policët gjatë kryerjes së detyrës zyrtare. Gjatë tentimit që të arrestonin të pandehurin sepse i ishte zënë një armë zjarri, i pandehuri kishte kanosur policët me fjalët “ka me ju vra, ka me u marr me juve, ju jeni idiotë, të poshtër”. Më tej në njoftim theksohet se i pandehuri kishte kërcënuar policët U.Sh., L.Th. dhe B.B. edhe pasi ishte dërguar në Stacionin Policor.

“Duke pasur parasysh natyrën e veprave penale, mënyrën e kryerjes së veprës penale si dhe në anën tjetër duke e pas parasysh edhe karakteristikat personale të pandehurit ku nga data bazë e të dhënave nga Policia e Kosovës, rezulton se i njëjti është përsëritës i shumë veprave penale të njëjta, Gjykata ka caktuar masën e paraburgimit”, thuhet në fund të njoftimit.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme