Kronikë

Kapen me rreth 17 kg marihuanë, arrestohen dy shtetas të Shqipërisë në Kosovë

Policia e Kosovës ka arrestuar dy shtetas të Shqipërisë nën dyshimin se ata janë përfshirë në veprën penale “Blerja, posedim, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikeve, substancave psikotrope ose analoge”

Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, të dyshuarit po qarkullonin me një veturë me targa të Republikës së Shqipërisë, derisa të njëjtit janë ndalur në Pikën e Kalimit Kufitar Vërmicë, transmeton Koha.net.

“Gjatë realizimit të kontrollit të detajuar të veturës është vërejtur se ka dysheme të dyfishtë. Pas hapjes së hapësirës është vërejtur se aty është fshehur substancë e dyshuar narkotike e llojit marihuanë. Për rastin është njoftuar njësiti i antidrogës së Prizrenit, të cilët kanë sekuestruar gjashtëmbëdhjetë paketime të mbështjella, me peshë të përgjithshme: 16 kg e 954 gr”, thuhet ndër të tjera në njoftim.

Policia thotë se si provë materiale është konfiskuar një veturë dhe dy telefona celularë. Ndërkaq me aktvendim të prokurorit kompetent, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.