Kronikë

Sipas përgjimeve, vrasja e një të riu në Tiranë u bë për 30 mijë euro

Descriptive Text

Rreth 1 javë pas ekzekutimit të Jurgen Kurtit në Tiranë, policia ka vënë në pranga tre persona, ndërsa është shpallur në kërkim një tjetër shtetas.

Arrestimi i Elsi Levendi, 21-vjeç, Alesio Berberi, 33-vjeç, dhe Olsi Qalliaj, 22-vjeç, është kryer pasi akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e Kurtit, ndërsa burime të sigurta nga policia thonë se vrasja është kryer me pagesë. Për këtë rast janë kryer përgjime, nga të cilat është kapur edhe shifra e pagesës prej 30 mijë eurosh, raporton ora news.

Lexo edhe: Një person vritet në Tiranë

Shkak për ekzekutimin e Jurgen Kurtit dyshohet se kanë qenë konfliktet e vjetra ku ishte përfshirë viktima, ndër të cilat edhe vrasja e Agim Arapajt në Durrës. Pas ekzekutimit të Kurtit djali i Arapajt, u shpall në kërkim, por në një komunikim për RTV ORA Dervis Arapaj mohoi të kishte lidhje me ngjarjen, ashtu siç deklaroi më parë edhe e ëma e tij.

Arrestimi i 3 të akuzuarve është bërë gjatë mbrëmjes së të hënës, (25 mars 2019) në Tiranë. Ata kanë mohuar gjatë dëshmisë në polici të kenë patur lidhje me vrasjen.

Policia sekuestroi një automjet që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze. Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarakë, një sasi prej 2470 Euro e Lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Jurgen Kurti u ekzekutua me armë mbrëmjen e 18 Marsit, poshtë banesës së tij në kryeqytet. Kurti ishte një emër i njohur për policinë, pasi gjatë vitit 2016 dhe 2017 u përfol si autor i dyshuar në dy vrasje, të cilat më pas nuk u provuan dhe ai u la i lirë.