Grabitën blindat me miliona euro, Gjykata e Tiranës dënon me 107 vjet bandën

Grabitën blindat me miliona euro, Gjykata e Tiranës dënon me 107 vjet bandën

26 March 2019 14:54

Tiranë, 26 mars -Gjykata e Krimeve të Rënda ka dhënë sot vendimet për bandën e grabitësve të blindave me miliona euro. Prokuroria kërkoi 127 vite burg në total për të arrestuarit, por gjykata vendosi që të japë 107 vite.

Tetë personat akuzohen për tre episode, grabitjen e një banke të nivelit të dytë te stacioni i Trenit dhe dy të tjerat në rrugën e Rinasit në vitin 2015. Prokuroria thotë se provat për implikimin e tyre u grumbulluan gjatë një hetimi të plotë, objektiv dhe të gjithanshëm me deklarimet e mbi 100 personave, administrimin e pamjeve filmike të banesës së Admir Muratajt – që është i pandehuri kryesor dhe organizator i të tre episodeve kriminale, administrimin e një sërë aktesh ekspertimesh teknike e kompjuterikë, këqyrje të vendeve të ngjarjes etj.

Për të pandehurin Admir Murataj, për shkak se ai është në gjykim në mungesë, është vendosur pezullimi i gjykimit dhe i takon një faze të mëvonshme gjykimi i tij sipas rregullave procedurale të reja mbi gjykimin në mungesë (parashikuar nga Kodi i Procedurës Penale i ndryshuar në vitin 2017). Gjykata e shkallës së parë për Krime të Rënda ka deklaruar fajtor të pandehurin Dash Kupa duke e dënuar përfundimisht me 18 vjet burgim, 17. 4 vite Ernest Kupën, Neim Avdylaj me 17.4 vjet burgim, Ditjon Memlika 8.6 dhe Admir Cerpja 5.8, Fatjon Xhyliu 14 burgim, Dritan Sinani 13.4 dhe Aleksandër Murataj me 12.8 vjet burgim.

Vendimet e gjykatës

Dash Kupa 18 vite

Ernest Kupa 17.4

Neim Avdylaj 17.4

Ditjon Memlikaj 8.6

Admir Çerpja 5.8

Fatjon Xhyliu 14

Dritan Sinani 13.4

Aleksandër Murataj 12.8

Episodet e grabitjeve

1. Më datë 12.02.2015 kur ishte vjedhur dega e Bankes ... ku sasia e parave të vjedhura ishte në masën 900 000 Franga Zvicerane, 800 000 Paund Britanik dhe 16.100 Euro, e paketuar në katër qese, vjedhje e ndodhur në zonën e Stacionit të Trenit Tiranë nga persona të armatosur;

2. më datë 03.12.2015 kur ishte vjedhja Banka .... sasia e parave prej 1 800 000 Paund Britanik, 800 000 Dollarë Amerikanë, 200 000 Dollarë Kanadezë dhe 200 000 Dollarë Australianë, vjedhje e ndodhur në kohën kur paratë transportoheshin me mjete të blinduara në drejtim të Rinasit, poshtë Qafë Kasharit, Tiranë nga persona të armatosur.

3. më datë 09.02.2017 kur ishte vjedhur Banka ... ku sasia e parave të vjedhura ishte në masën 2 400 000 (dy milion e katërqind mijë) Euro, 200 000 Dollarë Amerikanë, 260 000 Paund Britanik, 85 000 Franga Zviceranë, 30 000 Dollarë Australianë dhe 30 000 Dollarë Kanadezë, e paketuar në tetë thasë, vjedhje e ndodhur kur paratë po transportoheshin gjatë rrugës për në Rinas në vendin pranë fshatit Domje, Tiranë nga persona të armatosur.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme