Kronikë

Arrestohet kunati i biznesmenëve mashtrues indianë që u takuan me Haradinajn, po tentonte të ikte nga Shqipëria

Foto: Ramush Haradinaj / FB

Skandali i dy vëllezërve indianë Sandesara, që akuzohen për pastrimin e rreth një miliard dollarëve, merr një tjetër kthesë në Shqipëri. Policia e Shtetit Shqiptar ka arrestuar kunatin e njërit prej tyre, Cetan Sandesaras. Në pranga është vënë shtetasi Hiteshkumar Patel, 59 vjeç, lindur në Indi dhe banues në Nigeri, i shpallur në kërkim ndërkombëtar për pastrim parash, me qëllim ekstradimi drejt Indisë.

Ky shtetas është kapur në aeroportin e Tiranës, Rinas, në dalje nga territori i Republikës së Shqipërisë pasi ishte person i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol New Delhi/ Indi.

Gjykata Patiala House/New Delhi, ka lëshuar ndaj këtij shtetasi urdhër arresti për veprën penale “Pastrimi i parave”, parashikuar nga nenet 3 dhe 4 të “Ligjit për Parandalimin e Pastrimit të Parave”.

Veprimet e mëtejshme për ekstradimin e këtij shtetasi do të kryhen nga ZQK Interpol Tirana, raporton "Shekulli".

Sipas “Times of India”, agjencitë ligjzbatuese të Indisë kanë nisur menjëherë kontaktet me Interpolin dhe autoritetet shqiptare, për të nisur sa më parë procedurat e ekstradimit të Patelit në Indi.

Hiteshkumar Patel është vëllai i bashkëshortes së Cetan Sandesaras. Pateli ka qenë një nga drejtuesit më të lartë të kompanisë “Sterling Biotech” dhe, sipas mediave indiane, arkitekti që krijoi skemën gjigante të mashtrimit financiar.

Përmes kompanisë “Sterling”, Nitin dhe Chetan Sandesara kanë marrë 725 milionë deri në 1 miliard dollarë amerikanë kredi nga bankat shtetërore të Indisë, para të cilat i zhdukën përmes një rrjeti prej 300 kompanish “offshore”.

Autoritetet indiane dyshonin se vëllezërit Sandesara ishin arratisur në Nigeri, por prej shkurtit të vitit të kaluar, ata janë bërë shtetas shqiptarë dhe janë duke investuar në ndërtimin e pallateve në Tiranë dhe resorteve turistike në bregdetin e jugut të Shqipërisë.

Mbetet e paqartë nëse vëllezërit Sandesara ndodhen aktualisht në Shqipëri, apo janë larguar pas publikimit të skandalit. Por, arrestimi i Hiteshkumar Patel përbën një zhvillim të rëndësishëm në atë që mund të jetë një nga skemat më të mëdha të pastrimit të parave në Shqipëri.

Kujtojmë se të njëjtit kohë më parë janë takuar edhe me kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj, dhe janë paraqitur si investitorë potencialë.

https://www.koha.net/arberi/151791/haradinaj-e-prezantoi-si-investitor-indianin-e-kerkuar-per-vjedhjen-e-725-milione-dollareve/