Kronikë

Shoqërohen 5 persona për tritolin ndaj shtyllës së tensionit Tiranë-Prizren

Policia ka shoqëruar 5 persona për ti marrë në pyetje në lidhje me shpërthimin me tritol të shtyllës së tensionit në Fushë Krujë.

Si pasojë e shpërthimit të tritolit pasditen e së hënës (18 mars) mbeti e dëmtuar njëra nga këmbët e shtyllës së tensionit, por nuk u cenua qëndrueshmëria e saj.

Policia nuk ka identifikuar ende autorin e ngjarjes në zonën e njohur si fabrika e çimentos ku kalon linja e transmetimit të tensionit të lartë.

Banorët e zonës jashtë kamerës thanë se kanë dëgjuar një shpërthim disa ditë më parë, por dëmtimi është evidentuar vetëm të hënën.

Një shpërthim i ngjashëm në muajin Janar, rrezikoi të lërë pa energji gjysmën e Shqipërisë pasi u dëmtua një shtyllë e tensionit të lartë Tiranë2- Podgoricë/Shqip.