Nga përleshja e sotme në Klinë ndalohen dy të dyshuar dhe tjetri është ende në arrati Foto: Ilustrim

Nga përleshja e sotme në Klinë ndalohen dy të dyshuar dhe tjetri është ende në arrati

15 March 2019 22:16

Në pasditen e sotme ka ndodhur një përleshje mes katër personave në Klinë. Nga kjo përleshje të gjithë kanë mbetur të lënduar ndërsa njëri prej tyre ka marrë lëndime më të rënda, me ç’rast është dërguar në QKUK në Prishtinë për trajtim të mëtutjeshëm.

Drejtoria Rajonale e Policisë së Kosovës në Pejë, Stacioni Policor në Klinë, konfirmon se sot rreth orës 14:58 është njoftuar lidhur me një rrahje që ka ndodhur në një lokal në sheshin “Mujë Krasniqi” në Klinë, ku ishin të përfshirë katër persona të dyshuar dhe një person viktimë, transmeton Koha.net.

“Pasi që të njëjtit ishin fjalosur, kishte filluar rrahja dhe njëri nga të dyshuarit me një mjet të mprehtë (thikë), ka goditur të dyshuarin tjetër, duke i shkaktuar lëndime në dorë. Tre nga personat e dyshuar janë dërguar për në spitalin Rajonal në Pejë, njëri nga këta është dërguar për në QKUK Prishtinë për shkak të lëndimeve që ka pësuar në dorë”, njofton Policia e Kosovës.

Gjithashtu, sipas raportit të Policisë, të dyshuarit e lartcekur janë intervistuar nga Njësia Rajonale e Hetimve DRP Pejë, dhe në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe krim teknika e këtij njësiti rajonal.

“Ndaj të dyshuarve janë iniciuar rastet ‘Lëndim i rëndë trupor’ dhe ‘Pjesëmarrje në rrahje’. Gjatë përleshjes është lënduar edhe pronari i këtij lokali dhe të njëjtit ju ka dhënë ndihma mjekësore në Spitalin rajonal në Pejës”, thuhet tutje në raportin e Policisë.

“Me vendim të prokurorit të shtetit janë ndaluar dy të dyshuar, ndërsa i dyshuari i katërt është nën kërkim policor, me që ka ikur nga vendi i ngjarjes, por Policia e ka të njohur identitetin e tij. Rasti është duke u hetuar nga Njësiti Rajonal i Hetimeve DRP Pejë”, përfundon raporti.

© KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.

Komentet

Shto koment

Të ngjashme