Kronikë

Arrestohet i dyshuari për grabitjen e armatosur të bankës në qendër të Prishtinës

Foto: Koha / ilustrim

Policia e Kosovës ka njoftuar se në orët e para të së dielës ka arrestuar një person që dyshohet se kishte kryer grabitjen e armatosur të datës 26 nëntor 2018 në një filial të një banke në rrugën “Robert Doll” në Prishtinë.

Sipas njoftimit nga Policia e Kosovës, i dyshuari ishte në arrati që nga kryerja e grabitjes dhe ka rezistuar gjatë arrestimit.

Në njoftim PK ka thënë se policia është detyruar ta vë nën kontroll të kërkuarin duke aplikuar forcën e domosdoshme dhe proporcionale për arrestimin e tij.

“Gjatë arrestimit edhe një zyrtar policor ka pësuar lëndime të lehta trupore. Të dyshuarit iu kanë konfiskuar para në euro dhe dinarë të Serbisë. Në konsultim me prokurorin kujdestar, i dyshuari dërgohet në Qendër të Ndalimit për procedura të mëtejme”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia ka thënë në fund se mbetet e përkushtuar të zbardhë raste të tilla kriminale dhe “po punon me njësitet e saj për sjelljen para drejtësisë edhe të personave tjerë të dyshuar të implikuar kryesisht në raste të grabitjeve me armë dhe vepra tjera kriminale”.