Kronikë

Pronarit të kamionit që shkaktoi aksidentin në Gjilan i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh

Foto: Koha

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh të pandehurit V. T.

Në njoftimin për media, Gjykata thotë se ekziston dyshimi i bazuar se i pandehuri V. T., si person përgjegjës në kompaninë SH.P.K. “VEV GROUP”, ka lëshuar në qarkullim kamionin e tipit “Scania”, pa regjistrim dhe pa kontroll teknik që nga data 18 gusht 2017, të cilin e ka drejtuar shoferi i kësaj kompanie M. A., me ç’rast i njëjti ka shkaktuar aksident trafiku me datë 07.03.2019, si pasojë e të cilit ka mbetur i vdekur i ndjeri Q. Ç. dhe kanë mbetur të lënduar 23 persona.

“Me këto veprime i pandehuri ka kryer veprën penale ‘mbikëqyrja e pandërgjegjshme e trafikut publik’, vepër e sanksionuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës”, thotë Gjykata Themelore e Gjilanit, raporton Koha.net.

Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Përgjithshëm, pas shqyrtimit të shkresave të lëndës, ka konsideruar se janë përmbushur kushtet ligjore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurit, në mënyrë që të bëhet zhvillimi normal i procedurës.

Palët kanë të drejtën e ankesës ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit.​​​