Kronikë

Gjykata e Tiranës liron të fejuarin e Elvana Gjatës

Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë Ervin Matën i cili u dorëzua në polici ditën e premte për shkak se ishte në kërkim nga policia për vrasjen e ndodhur në lokalin 'Monopol' në zonën e ish-Bllokut, në 4 tetor të vitit 2018.

Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë Ervin Matën, të fejuarin e këngëtares Elvana Gjata, i cili u dorëzua të premten në Policinë e Shtetit, pasi ishte në kërkim që prej 4 tetorit 2018 për vrasjen e ndodhur në lokalin “Monopol” në ish Bllok. Ndaj tij është dhënë masa e arrestit "detyrim paraqitje", raporton tch.

LEXO EDHE: Vetëdorëzohet në polici i dashuri i Elvana Gjatës, i dyshuari për vrasjen në Tiranë

Prokuroria ka kërkuar “arrest me burg”, me argumentin se nga pamjet filmike duket se Ervin Mata ka shtyrë në konflikt Mervjol Billon. Sipas Prokurorisë autori nuk kishte asnjë konflikt të drejtpërdrejtë me viktimën Fabiol Gaxha, dhe të gjitha veprimet e Billos kanë qenë të ndikuara nga Mata.

Avokati i Ervin Matës është shprehur se klienti i tij u sulmua dhe nuk shkoi të konfliktohej me palën tjetër. Mata nuk ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore të zhvilluar ditën e sotme, ndërkohë që në dëshminë e dhënë në polici është shprehur se nuk ka qëlluar dhe është larguar nga të shtënat.

Truproja i Ervin Matës, ish-komandoja Mervjol Billo, ekzekutoi Fabiol Gaxhën dhe plagosi Ervis Martinajn dhe Eljo Haton. Billo ndodhet ende në arrati, ndërsa Martinaj në burg, teksa Hato është liruar nga gjykata.