Kronikë

Nrecaj, i dënuari i parë me burgim të përjetshëm në Kosovë

Vrasja e bashkëshortes dhe të bijës i ka kushtuar sot Pjetër Nrecaj me burgim të përjetshëm, i cili është rasti i parë në Kosovë me këtë dënim.

Gjykata e Apelit sot ka konfirmuar dënimin me burgim të përjetshëm të Nrecajt, transmeton Koha.net.

Pjetër Nrecaj dënohet me burgim të përjetshëm për vrasjen e gruas dhe të vajzës

Më parë në Kosovë ishin dënuar me burgim të përjetshëm dy persona, por që ishte hequr ky dënim, me arsyetimin se ishte shumë i ashpër.

Ishte pikërisht Gjykata e Apelit që më 2016 kishte ndryshuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës, e cila kishte dënuar me burgim të përjetshëm Emin Krasniqin dhe Astrit Mehmetin.

Gjykata e Apelit kishte konsideruar se dënimi për Krasniqin dhe Mehmetin ishte shumë i ashpër.

Shkalla e dytë kishte vendosur që Emin Krasniqin ta dënojë me 25 vjet burgim dhe Astrit Mehmetin me 22 vjet burgim.

“Gjykata e Apelit konsideron se dënimi me burgim të përjetshëm është i ashpër pasi që të akuzuarit janë të moshës relativisht të re, më parë të pa gjykuar, të gjendjes së dobët ekonomike, kanë të kryer vetëm shkollën fillore, që tregon nivelin e tyre të kuptuarit të vlerave të shoqërisë, e po ashtu njëri nga ta është penduar për veprën e kryer”, thuhej në njoftimin e Apelit, për ndryshimin e dënimit me burg të përjetshëm për dy të akuzuarit, Emin Krasniqi dhe Astrit Mehmeti.